Nisma e policisë për përgjimet/Juristët për Report TV: Antikushtetuese e abuzive! Frikë te qytetarët
TIRANË- Propozimi për ndryshime ligjore në lidhje me dhënien e të drejtës policisë për përgjime është kundërshtuar njëzëri nga juristët, duke e cilësuar si antikushtetuese. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta ka marrë mendimet e disa juristëve, të cilët me argumente të ndryshme, artikulojnë të njëjtën gjë, që kjo nismë bie ndesh me të drejtat themelore të individit. Ndalur te deklarata e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj i cili tha se janë të nevojshme përgjimet që ai i quan parandaluese për t'u paraprirë ngjarjeve kriminale, juristët shprehen se kjo është abuzive, prapa së cilës fshihen qëllimet të tjera të fshehta. Ndërkohë, për avokatin Ferdinand Doja, kjo do të bënte që të gjithë qytetarët të jetojnë me mendimin se po përgjohen nga momenti në moment.<br /><br />"Në radhë të parë ka një kod procedure, që i ka të përcaktuara rastet kush, kur dhe sa duhen përgjuar, këtu te ne është abuzuar gjithmonë me përgjimet. Policia ka përgjuar në mënyrë të ligjshme dhe të paligjshme. Duhet ndryshuar Kodi i Procedurës Penale. Të gjitha problematikat, kërkesat e policisë janë abuzive që të shfrytëzojë apo dhunojnë njerëzit në mënyrë të kundërligshme", tha Ardian Leka, avokat.